Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Gjoni 11:1-44

Ringjallja e Llazarit

1 Por ishte një i sëmurë, Llazari nga Betania, prej fshatit të Marisë dhe i Martës, motrës së saj. 

2 Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët e tij me flokët e saj; vëllai i së cilës, Llazari, ishte i sëmurë. 

3 Prandaj motrat dërguan tek ai duke thënë: “Zot, ja, ai që ti e do është i sëmurë.” 

4 Dhe Jezusi, si dëgjoi këtë, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë.” 

5 Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin. 

6 Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte. 

7 Pastaj u tha dishepujve: “Të kthehemi përsëri në Jude.” 

8 Dishepujt i thanë: “Mësues, sapo kërkonin judenjtë të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?.” 

9 Jezusi u përgjigj: “Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote, 

10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të.” 

11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: “Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.” 

12 Atëherë dishepujt e tij thanë: “Zot, po të flejë, do të shpëtojë.” 

13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. 

14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: “Llazari ka vdekur. 

15 Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai.” 

16 Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: “Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.” 

17 Kur arriti Jezusi, pra, e gjeti tashmë prej katër ditësh në varr. 

18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade afër Jeruzalemit. 

19 Dhe shumë judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre. 

20 Marta, pra, si e dëgjoi se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi. 

21 Atëherë Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur, 

22 por edhe tani e di se të gjitha ato sa i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë.” 

23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet.” 

24 Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.” 

25 Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe në vdektë, do të jetojë. 

26 Dhe kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë aspak përjetë. A e beson këtë?.” 

27 Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë” 

28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: “Mësuesi është këtu dhe po të thërret.” 

29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai. 

30 Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, madje ndodhej në vendin ku Marta e kishte dalë përpara. 

31 Atëherë judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: “Ajo po shkon te varri për të qarë aty.” 

32 Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: “Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.” 

33 Jezusi, pra, kur e pa duke qarë dhe judenjtë që kishin ardhur me të duke qarë, psherëtiu në frymë dhe u turbullua, 

34 dhe tha: “Ku e keni vënë?.” Ata i thanë: “Zot, eja e shih!.” 

35 Jezusi u përlot. 

36 Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e donte!.” 

37 Por disa nga ata thanë: “Ky, që i hapi sytë të verbërit, s’mund të bënte që edhe ky të mos vdiste?”. 

38 Prandaj Jezusi, përsëri duke psherëtitur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur. 

39 Jezusi tha: “Ngriheni gurin!.” Marta, motra e të vdekurit, i tha: “Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka katër ditë.” 

40 Jezusi i tha: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?.” 

41 Atëherë ata e ngritën gurin nga ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: “O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar. 

42 Por unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për shkak të turmës që është përreth, që të besojnë se ti më dërgove.” 

43 Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, dil jashtë!.” 

44 Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!.”

Tjetra
Audio
1 x

Jezusi e nisi shërbesën e Tij publike duke shpallur misionin dhe qëllimin e Tij. Ai po merrte pjesë në shërbesën e Shabatit në sinagogën e qytetit të Tij, në Nazaret, dhe kur u ngrit për të lexuar, ndihmësi i sinagogës i dha pergamenën e profetit Isaia. Duke hapur pergamenën, Jezusi lexoi këto fjalë: 

“Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të dërguar në liri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit.” (Luka 4:18-19)

Këto ishin fjalë të njohura për audiencën. Ato ishin lexuar në shërbesat e adhurimit për më shumë se shtatëqind vjet. Por populli i Perëndisë ishte akoma duke pritur shpresën, që ato fjalë premtonin. 

NJË LAJMËRIM DRAMATIK 

Kur Jezusi mbaroi së lexuari, Ai mblodhi pergamenën, ia dha përsëri shërbëtorit dhe u ul, siç bënin rabinët kur jepnin mësim. Njerëzit ishin mësuar me rutinën e leximit dhe predikimit, por askush nuk ishte i përgatitur për njoftimin dramatik të Jezusit: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaj” (Luka 4:21).

Të tjerët kishin shpjeguar se çfarë do të bënte Mesia. Jezusi shpalli lajmin se Mesia kishte ardhur. 

MISIONI I JEZUSIT

Jezusi e shpalli veten çliruesi i premtuar. Përmes shërbesës së Tij unike të burgosurit do të liroheshin, sytë e të verbërve do të hapeshin, dhe të shtypurit do të gjenin lirinë.

Kur Jezusi tha se kishte ardhur për të shpallur vitin e pranueshëm të Zotit, Ai po i referohej një viti kremtimi që Perëndia e kishte caktuar në Dhiatën e Vjetër, të quajtur Jubile (Levitiku 25). 

Plani i Perëndisë ishte që çdo pesëdhjetë vjet të faleshin borxhet e pashlyera, të liroheshin skllevërit, dhe toka që ishte shitur në kohë vështirësish t’u kthehej pronarëve të parë. Jubileu ofronte një fillim të ri për të gjithë popullin e Perëndisë, ndërkohë që borxhet e vjetra faleshin dhe trashëgimitë e humbura u ktheheshin sërish pronarëve të tyre.

Ligjet e Jubileut ishin një bekim i mrekullueshëm për të varfrit, por një detyrim i kushtueshëm për të pasurit. Kjo është arsyeja pse Jubileu nuk u zbatua kurrë në të gjithë historinë e Dhiatës së Vjetër. Ata që kishin pushtetin për ta shpallur Jubileun, nuk patën kurrë vullnetin për ta bërë këtë. Thjesht ishte shumë e kushtueshme për ta. 

Jezusi erdhi të shpallë Jubileun e Perëndisë dhe ky është lajm i mirë për të varfrit. Krishti është i gatshëm të falë borxhet tona të vjetra ndaj Perëndisë dhe të na rikthejë trashëgiminë tonë të humbur. Ai është në gjendje të lirojë ata që janë burgosur nga mëkati dhe janë të shtypur nga Satani. Bekimi që Perëndia kishte premtuar për të gjithë popujt, dhe që do të vinte nëpërmjet një pasardhësi të Abrahamit dhe Davidit, ka ardhur në Jezu Krishtin. 

SHËRIMI I TË SËMURËVE

Gjatë tre viteve në vazhdim Jezusi dha dëshmi mahnitëse të aftësisë së Tij për t’i përmbushur ato premtime të jashtëzakonshme. Një i verbër rifitoi shikimin (Gjoni 9), një i shurdhër mori dhuratën e dëgjimit (Marku 7), dhe një i paralizuar prej tridhjetë e tetë vitesh nisi të ecë (Gjoni 5). Në të gjitha këto mrekulli Jezusi u motivua nga dhembshuria. Ai hyri në vuajtjet e jetëve të thyera duke sjellë shërim dhe shpresë. 

Jezusi madje shëroi edhe njerëz që vuanin nga lebra. Lebrosët ishin të dëbuar nga shoqëria. Shumica e njerëzve kishin frikë nga infektimi me këtë sëmundje vdekjeprurëse dhe nuk u afroheshin atyre. Por kur një lebros erdhi te Jezusi duke i kërkuar që ta shëronte, Jezusi e preku dhe e shëroi (Mateu 8). 

SHMANGIA E KATASTROFAVE 

Mrekullitë e Jezusit demonstruan autoritetin e Tij mbi të gjitha zonat e errësirës, që sjellin mjerim në jetën njerëzore. Në një rast, dishepujt e Jezusit u gjendën në mes të një stuhie që shpërtheu gjatë vozitjes për në bregun tjetër të liqenit. Jezusi e qortoi erën dhe liqeni u bë tërësisht i qetë. Dishepujt u shtangën. “Vallë, kush është ky?”, pyetën ata. “I binden edhe era, edhe deti!” (Marku 4:41).

ÇLIRIMI I TË SHTYPURVE

Jezusi çliroi gjithashtu edhe njerëz nga shtypja djallëzore. Kur Ai erdhi në krahinën e gadarenasve, një i demonizuar rendi drejt tij. Demonët kishin bërë shtëpinë e tyre brenda këtij njeriu duke u sjellë shkatërrim të tmerrshëm atij dhe të gjithë atyre përreth tij. Ai jetonte në varreza dhe e rrihte veten me gurë. Askush nuk mund ta kontrollonte, dhe ai përbënte një kërcënim të dhunshëm për komunitetin aty afër.

Kur Jezusi e pa, Ai i urdhëroi frymërat e liga të dilnin prej tij. Me urdhrin e Jezusit demonët u larguan. Kur vendasit erdhën për të parë se çfarë kishte ndodhur, e gjetën burrin të ulur, të veshur dhe me mendje të shëndoshë (Marku 5).  

RINGJALLJA E TË VDEKURVE

Autoriteti i Jezusit shtrihej përtej sëmundjes, natyrës dhe demonëve. Ai madje kontrolloi edhe mbretërinë e vdekjes. Në tre raste Ai i ktheu të vdekurit sërish në jetë. Apostulli Gjon regjistron historinë se si vdiq Llazari, një mik i Jezusit. Pas katër ditësh në varr, Jezusi e ringjalli prej së vdekurish. Jezusi qëndroi pranë varrit dhe i thirri Llazarit që të dilte jashtë. Dhe ai doli–duke ecur i mbështjellë me rrobat e varrimit (Gjoni 11).

Pamja nga mali i dytë

Mrekullitë e Jezusit ishin më shumë se ndërhyrje dramatike. Ato ishin shenja që zbulonin autoritetin e Tij dhe vërtetonin identitetin e Tij. Kur Gjon Pagëzori pyeti nëse Jezusi ishte me të vërtetë Mesia, Jezusi tha: “Të verbërit po shohin dhe të çalët po ecin, lebrosët janë pastruar dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u shpallet të varfërve” (Mateu 11:5).

Mrekullitë e Jezusit ishin si vetëtimat në një qiell të errët. Jezusi ka autoritet mbi sëmundjet, fatkeqësitë, demonët dhe vdekjen. Ai kujdeset për të varfrit dhe ka ardhur të sjellë bekimin e premtuar të Perëndisë, në të cilin do të shlyhen borxhet tona të vjetra dhe do të na rikthehet trashëgimia jonë e humbur. 

Mrekullitë japin një mostër të bekimit, që Perëndia ka ruajtur për të gjithë njerëzit e Tij. Por ato janë thjesht një mostër. Jezusi nuk e zhduku përgjithmonë verbërinë ose lebrën. Spitali i qytetit të Jerusalemit nuk u mbyll. Varrmihësit nuk dolën nga biznesi. Për ta zbuluar arsyen duhet të udhëtojmë përmes luginës tjetër.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.
  1. Si do ta përshkruaje autoritetin e Jezusit? Mendo për të paktën katër ose pesë fjalë. Etiketoje çdo fjalë si një fjalë “pozitive” ose “negative”, pastaj identifiko një ose më shumë ngjarje të veçanta nga jeta e Jezusit që do t’i shoqëroje me secilën prej tyre.
Save Progress
Shko në fillim